Secondary Adv

Lista e vendeve me risk të lartë për pastrimin e parave, AIF kërkon kujdes nga bankat dhe noterët

AIF paralajmëron për rrezik të shtuar nga bashkëpunimi me vende me risk të lartë për pastrim parash, sipas listës së re të FATF.

AIF u bën thirrje bankave, noterëve dhe subjekteve të tjera të ligjit nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, që të rishikojnë politikat e tyre të kujdesit të shtuar ndaj klientëve me lidhje me juridiksione të përfshira në listat e FATF-së. Agjencia thekson se këto përditësime duhet të reflektohen menjëherë në procedurat e kontrollit dhe vlerësimit të rrezikut.

 

Vendimet e FATF dhe ndikimi në tregjet financiare

FATF ka përditësuar listat globale të vendeve me risk të lartë (“Black List”) dhe të atyre nën monitorim të shtuar (“Grey List”), duke ndikuar drejtpërdrejt në marrëdhëniet tregtare dhe financiare ndërkombëtare. Në listat e reja përfshihen: Algjeria, Angola, Bolivia, Bullgaria, Kameruni, Cote d’Ivoire, Republika Demokratike e Kongos, Haiti, Kenia, Libani, Namibia, Nepali, Monako, Sudani i Jugut, Siria, Venezuela, Vietnami, Jemeni dhe Ishujt Virgin Britanikë.

 

Këto vende konsiderohen si juridiksione që nuk zbatojnë plotësisht standardet ndërkombëtare kundër pastrimit të parave ose kanë sisteme të dobëta mbrojtjeje. Për këtë arsye, FATF kërkon që transaksionet dhe aktivitetet financiare me to të trajtohen me kujdes maksimal, duke aplikuar kontrolle të thelluara për çdo lëvizje kapitali.

 

AIF: “Kujdes maksimal në praktikat e bashkëpunimit”

“Subjektet e ligjit duhet të marrin masa për të identifikuar, monitoruar dhe raportuar çdo transaksion të dyshimtë që lidhet me këto juridiksione,” thekson AIF në njoftimin e saj. Agjencia kujton se mosrespektimi i këtyre standardeve mund të sjellë pasoja administrative dhe reputacionale për institucionet që operojnë në tregun shqiptar.

 

Ekspertët theksojnë se përfshirja e një vendi në listën e FATF nuk është thjesht një çështje formale, por ndikon në mënyrën si hapen llogaritë bankare, si lëvizin fondet dhe si trajtohen transaksionet ndërkombëtare. Kjo kërkon një reagim të menjëhershëm nga sektori financiar dhe ligjor për të shmangur rreziqet e përfshirjes në aktivitete të paligjshme.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat